Selimi: Kërkohet barazi gjinore në fushën e sportit
Rreth 70 për qind e të punësuarave në fushën e sportit dhe të edukimit fizik në vend janë meshkuj, ndërkaq rreth 30 për qind janë femra, kështu u tha në tryezën me temën “Tejkalimi i hendekut ekzistues midis Akademisë dhe tregut të punës".
Profesori dhe njëkohësisht koordinatori i projektit, Musa Selimi gjatë prezantimit të këtij hulumtimi, tha se duhet më shumë punë rreth barazisë gjinore, derisa shtoi se nga rezultatet e anketës vërehet një numër i ulët i vajzave dhe grave që përfshihen në këtë drejtim.
Mes tjerash, Selimi tha se ky projekt është realizuar mes tre niveleve, duke vlerësuar programet e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, duke shqyrtuar shkallën aktuale të punësimit të studentëve të fakultetit nga industria. Po ashtu edhe duke analizuar tregun e punës për të kuptuar se çfarë duhet ndryshuar dhe ku duhet të harmonizohen kurrikulat e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.
Në këtë projekt kanë marrë pjesë, komuna e Prizrenit, Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, Prishtinës, Ferizaj dhe Gjilanit.
Ndërkaq në pyetësorin për të Diplomuarit, të punësuar kanë marrë pjesë 204 të anketuar.
Ky projekt është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, e administruar nga organizata KUSA dhe e implementuar nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.