Sekuestrohen 13 armë zjarri në ahengje familjare në Prishtinë
Policia e Kosovës në Prishtinë që nga data 1 gusht deri sot ka realizuar kontrolle në lokacione të ndryshme ku janë sekuestruar 13 armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorë në ahengje familjare.
Lidhur me rastet janë arrestuar 12 persona prej të cilëve 5 janë dërguar në mbajtje.
“Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ndeja dhe ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie. Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t'i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla”, thuhet në njoftim.
Policia ka apeluar gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident.