Sejdini jep dorëheqje nga kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut
Sport
Lexohet për: 2 min.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini ka dhënë dorëheqje pas shtatë vjetësh, duke mos dhënë publikisht arsyet.
Sejdini ka bërë të ditur se do ta ushtrojë këtë detyrë deri më 22 dhjetor, kur edhe pritet të zgjidhet pasardhësi i tij.
“Pas shtatë vjetësh të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë”, ka shkruar Sejdini në një postim në Facebook.
Ai ka falënderuar për arritjet lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv dhe dashamirët e futbollit.
“Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA dhe FIFA”.