Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për të dytën ditë me radhë ai po përgjigjet në pyetjet e prokurorisë dhe seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun.
Dëshmitari i W02652 po dëgjohet nën masa mbrojtëse dhe identiteti i tij nuk është publikuar.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.
Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.
Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.
Dëshmia e W02652 pritet të zgjasë rreth pesë ditë derisa për intervistimin e tij ZPS ka kërkuar shtatë orë ndërsa mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.