Scholz bisedë telefonike me Putin për herë të parë pas dy vjetësh
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Foto Ilustruese
Kancelari gjerman Olaf Scholz pati një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin për herë të parë pas dy vjetësh, njoftoi zyra e kancelarit gjerman.
“Kancelari gjerman dënoi agresionin rus kundër Ukrainës dhe i kërkoi presidentit Putin të ndalojë sulmin dhe të tërheqë trupat”, thuhet në deklaratën lidhur me bisedën telefonike Scholz-Putin.
Gjatë bisedës Scholz këmbënguli që Rusia të tregojë gatishmëri për negociata me Ukrainën “me synimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”. Në të njëjtën kohë, Scholz theksoi gatishmërinë e Gjermanisë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus "për aq kohë sa duhet".
Po ashtu bëhet e ditur se kancelari gjerman ka diskutuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy para takimit me Putin dhe se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe pas takimit me presidentin rus. Scholz gjithashtu informoi partnerët e BE-së dhe NATO-s për bisedën.
Nga qarqet qeveritare bëhet e ditur se Scholz dënoi ashpër dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në luftë kundër Ukrainës, duke deklaruar se ishte një përshkallëzim i fortë i konfliktit.
Nga ana e tij, Kremlini ka njoftuar se Putin dhe Scholz patën një bisedë "të sinqertë" të premten, "me iniciativën" e Berlinit, për luftën në Ukrainë.