Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se aktiviteti ushtarak i Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë evropiane.
“Ndodhemi në një situatë shumë serioze”, tha Scholz për gazetën ”Suddeutsche Zeitung” lidhur me tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ai tha se mosvënia në dyshim e kufijve është pjesë e “politikës së butë” dhe marrëveshjeve të arritura pas vitit 1990.
“Kjo nënkupton se ju nuk mund t’i ndryshoni kufijtë vetëm pse në disa libra të vjetër ato janë të vizatuar ndryshe. Ajo që duhet zbatuar janë rregullat dhe ligjet dhe jo forca ushtarake”, ka deklaruar Scholz.
“Situata në Ukrainën lindore mbetet e rrezikshme dhe gjithashtu shkelen këto parime. Për Willy Brandt-in dhe Helmut Schmidt-in (ish-kancelarë gjermanë), integriteti territorial dhe e drejta e shteteve për vetëvendosje janë të pandashme”, tha ai.
Olaf Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të tjera nga Evropa Lindore në NATO nuk është në agjendë.