Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) i ka propozuar Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) që të mbyllet greva, që ishte pezulluar më 1 tetor.
Pas takimin me kryetarë të nivelit komunal sindikal dhe universiteteve, SBASHK-u ka thënë se i është përmbushur kërkesa kryesore, pra ajo e miratimit të Ligjit për Paga.
Duke u nisur nga fakti se Ligji i pagave është votuar nga Parlamenti dhe pritet të nis implementimi i tij në shkurtin e vitit 2023 e që ishte kërkesë kryesore e SBASHK-ut, Kryesia dhe Këshilli Grevist kanë dalë para kryetarëve të nivelit komunal sindikal e të Universiteteve me propozimin që SBASHK-u t’i drejtohet BSPK-së që të merret vendim për mbylljen e grevës së pezulluar më 1 tetor 2022. Këtë propozim pjesëmarrësit e këtij takimi e kanë aprovuar unanimisht pas diskutimeve që janë zhvilluar lidhur me këtë çështje.
Pas kësaj kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve kanë marrë nga një ekzemplarë të revistës vjetore “Rrugëtimi i SBASHK-ut 2022” për secilën shoqatë sindikale në komunat e tyre, gjegjësisht në Universitete.