SBAShK: Edhe këtë vit Qeveria vazhdoi me qasjen e gabuar ndaj sindikatave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale në vitin 2024. Përfaqësuesit e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitete kanë vlerësuar se viti  2023 ishte me plot sfida, por edhe me arritje të shumta. 

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë për çka  përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë. Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023.

Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë vlerësim të angazhimeve e aktiviteteve sindikale në komuna e në universitete  duke  përmendur trajnimet e organizuara me qindra punëtorë të arsimit, organizimin me sukses të aktiviteteve kushtuar ditës së madhe të mësuesit, rrjedhën e mbarë të pushimeve për qindra  punëtorë arsimor në bregdetin shqiptar dhe aktivitetet e shumta me Qendrën Amerikane të Solidaritetit duke veçuar punëtoritë sindikale në shtatë qendrat e Kosovës dhe Tryezën përgatitore me pjesëmarrjen e të gjitha palëve që ndërlidhën me arsimin për të mbajtur në shkurtin e vitit 2024 Konferencën ndërkombëtare lidhur me ruajtjen dhe kujdesin për shëndetin mendor në shkolla. Ata kanë theksuar se punëtorët e arsimit falë  Kontratës Kolektive të Arsimit kanë realizuar përmes gjykatave benifite të shumta, që u ka krijuar kjo Kontratë.

Duke vlerësuar lart angazhimet e koordinatorit për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, Këshilli Drejtues e shpalli  atë  sindikalist të vitit  në SBASHK dhe falënderon gjithë sindikatat e Kosovës që në kuadër të  BSPK-së e shpallen sindikalist të vitit në nivel vendi kryetarin e SBASHK-ut Rrahman  Jasharaj. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024