Sarri drejt rikthimit në Premier Ligë?
Pas spekulimeve të fundit se Maurizio Sarri refuzoi një qasje nga Nottingham Forest, ish-trajneri i Napolit dhe Lazios tani është lidhur me punën te West Hami dhe Newcastle United.
Trajneri 65-vjeçar italian i dha fund një periudhe trevjeçare me Lazion muajin e kaluar, duke dhënë dorëheqjen e papritur pas një humbjeje zhgënjyese ndaj Udineses. Që atëherë, ai është konsideruar si një opsion nga një numër klubesh, raporton KosovaPress.
Në javët e fundit, Sarri thuhet se ka refuzuar ofertat nga Nottingham Forest dhe Spartak Moska dhe ka qenë i lidhur me një numër klubesh duke përfshirë Milanin, Fiorentinan dhe Napolin, duke sugjeruar një verë interesante për teknikun.
Por a mund të kemi rikthim të Sarrit në Premier Ligë?
Siç raportohet nga “Il Messaggero”, West Hami dhe Newcastle thuhet se janë të interesuar të punësojnë Sarrin këtë verë, me të dy skuadrat të hapura për fillimin e cikleve të reja përpara sezonit të ardhshëm.
Në secilin rast, trajneri italian do të dëshironte të ishte në gjendje të shpenzonte të paktën 50 milionë euro në tregun e transferimeve dhe do të ishte i etur për të sjellë ish-lojtarët e tij të Lazios, Alessio Romagnolin dhe Mateo Guendouzi.