Samsung ka reaguar ndaj padisë së Dua Lipës, e cila e akuzon gjigantin e elektronikës për përdorim të imazhit të saj në kutitë e televizorëve pa leje, duke ia hedhur përgjegjësinë një “partneri të përmbajtjes”.
Në një deklaratë për Billboard, Samsung tha se imazhi i artistes është përdorur në vitin 2025 për të pasqyruar përmbajtjen e partnerëve të tretë në shërbimin e tyre falas Samsung TV Plus, dhe se fotografia fillimisht është siguruar nga një partner i përmbajtjes, transmeton KosovaPress.
“Imazhi është përdorur vetëm pasi është marrë garanci e qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte siguruar, përfshirë edhe për kutitë e shitjes me pakicë. Duke u bazuar në këtë garanci, ne i mohojmë të gjitha pretendimet për përdorim të qëllimshëm të paautorizuar”.
Sipas padisë, imazhi i saj është përdorur në një fushatë të gjerë marketingu në SHBA gjatë viteve 2025 dhe 2026, dhe kërkohet dëmshpërblim prej 15 milionë dollarësh, si dhe pjesë nga fitimet e kompanisë.
Avokatët e saj e kanë quajtur veprimin e Samsung “përdorim të paautorizuar pa kompensim”.