Për herë të tretë India nuk ia mundësoi Donjeta Sadikut pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare. Kësaj radhe boksieres kosovare iu mohua garimi në Kampionatin Botëror të boksit vetëm për shkak se ky shtet nuk e njehë Kosovën si shtet të pavarur.
Angazhimi i institucioneve të Kosovës në këtë drejtim nuk mungoi, por në fund përgjigjja ishte sërish negative.
Pjesëmarrja në këtë kampionat pa simbolet e Kosovës, ashtu siç kërkoi India, Donjeta thotë se nuk ishte fare opsion. Ajo gjithashtu paralajmëron se këtë dëshpërim që iu shkaktua do ta kthejë në fuqi dhe medalje në garat e ardhshme.
“Kur morëm lajmin kam qenë më trajneren time dhe thash që synimi im asnjëherë nuk ka qenë në pyetje mbrojtja e titullit ose sigurimi i medaljes, mirëpo ka qenë vetëm ngritja e flamurit dhe unë nuk kam qenë e pajtimit që ta marrë pjesë pa himn ose pa flamur e vendit tim. Normalisht që këto ditë jam pak e de-motivuar, mirëpo nuk kam kohë për të qenë e dëshpëruar sepse kam gara të tjera dhe këtë dëshpërim edhe këtë padrejtësi do ta kthej në fuqi dhe në medalje dhe këtë ka për t’ua vërtetuar të gjithëve në muajin qershor.”, theksoi ajo.
“Është shumë zhgënjyese për faktin se deri në momentet e fundit ne kemi pritur që do të na konfirmohet pjesëmarrja në Kampionatin Botëror. Gjithë treningun e kemi bërë dhe e kemi kaluar gjatë këtyre muajve ka qenë qëllimi i vetëm për të siguruar medalje dhe për ta ngritur flamurin në Indi. Në njëfarë mënyrë kemi pritur shumë për të marr pjesë për shkak se Donjetës dy herë i është mohuar e drejta dhe kemi qenë shumë të motivuar, sidomos Donjeta e ka pasur një ndjenjë të jashtëzakonshme për këtë kampionat dhe është vërtetë zhgënjyese.”, theksoi Sallauka.
Përkundër kësaj pengese, Sallauka thotë se synimi i radhës është medalja në Lojërat Olimpike, derisa shpreson që në të ardhmen sportistët tjerë të mos kenë probleme të tilla.