Rutte paralajmëron evropianët: Shpenzoni më shumë për mbrojtje ose ju thërret njeriu nga Uashingtoni
Bota
Lexohet për: 2 min.
Rutte paralajmëron evropianët: Shpenzoni më shumë për mbrojtje ose ju thërret njeriu nga Uashingtoni
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se ishte në bisedime me vendet evropiane që nuk shpenzojnë dy për qind të buxheteve për mbrojtjen, duke paralajmëruar se mund të marrin një telefonatë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump nëse nuk angazhohen për investime të tilla.

Në një konferencë shtypi sot me presidentin sllovak Peter Pellegrini në Bratislavë, Rutte tha se 23 nga 32 vende anëtare të NATO-s ishin zotuar të shpenzojnë dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen.

"Nëse ata nuk u përgjigjen thirrjeve të mia, një burrë shumë simpatik nga Uashingtoni mund t'i telefonojë. Por ka disa vende që nuk po shpenzojnë dy për qind dhe unë jam i angazhuar aktivisht dhe intensivisht me ta për të siguruar që ata të përshpejtojnë arritjen e këtij dy përqindëshi. Unë u thashë atyre, nëse nuk u përgjigjen thirrjeve të mia telefonike, ata mund të marrin telefonata nga një njeri shumë simpatik në Uashington”, tha Rutte duke aluduar te Trump.

Ai shtoi se SHBA duhet të mbështesë garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën në një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.

"Këto 'garanci të forta sigurie' nuk nënkuptojnë domosdo ushtarë në terren, por ne ende kemi nevojë për mbështetjen e përgjithshme të SHBA-së për të siguruar që ka parandalim," tha Rutte.

Trump më parë u bëri thirrje aleatëve evropianë që të rrisin buxhetin e tyre të mbrojtjes në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vend të dy për qind aktual.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025