Ministri rumun i Mbrojtjes ka thënë se mbetjet e një droni të përdorur në një sulm rus në një port ukrainas janë gjetur në territorin rumun.Komentet e tij pasojnë dy ditë pasi ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë mohuan "kategorikisht" çdo incident ndërkufitar.
Ukraina kishte këmbëngulur se kishte prova të shpërthimit, raporton BBC.
Një sulm ndaj Rumanisë, e cila është anëtare e NATO-s, do të ishte "plotësisht e papranueshme", tha Klaus Iohannis.
Të hënën, ministria e jashtme e Ukrainës kishte raportuar se dronët "ranë dhe shpërthyen" në Rumani të dielën mbrëma pas sulmit të fundit rus në portin ukrainas të Izmail.
Tani ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar, ka vizituar rajonin e Deltës së Danubit afër kufirit me Ukrainën dhe njoftoi se ishin gjetur disa pjesë të një droni.
Një hetim është duke u zhvilluar dhe fragmentet janë duke u analizuar për të përcaktuar nëse ato vijnë nga një armë ruse.
Ai tha se ishte "absolutisht e qartë" ajo që kishte ndodhur dhe se "nuk kishte kuptim ta mohonim atë".
Rusia ka goditur objektet portuale të Ukrainës përgjatë lumit Danub për disa javë pasi u tërhoq nga një marrëveshje për të lejuar Ukrainën të eksportojë drithërat e saj përmes Detit të Zi.
Nuk është plotësisht e qartë nëse droni u rrëzua dhe disa fragmente të dronit ranë në Rumani, apo nëse ai u rrëzua në anën rumune të kufirit.
Ministria rumune e Mbrojtjes tha më parë se kishte monitoruar situatën në Ukrainë dhe në kufi në kohë reale.