Rumania e Letonia akuzojnë Rusinë për shkelje të hapësirës ajrore
Rumania dhe Letonia thanë sot se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore.
Ministria rumune e Mbrojtjes tha se dy avionë luftarakë F-16 u dërguan pas paralajmërimeve të lëshuara në rajonet e Detit të Zi të vendit, Tulcea dhe Costanta.
Sistemi i vëzhgimit të radarit të vendit identifikoi një dron që kaloi hapësirën ajrore rumune ndërsa po shkonte drejt Ukrainës, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu thuhet se po shqyrtohet mundësia që droni të rrëzohet diku afër fshatit Peripravë dhe se në këtë zonë po kryhen hetime. Deklarata vazhdoi duke dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Letonia gjithashtu raportoi sot për një dron rus të rrëzuar në territorin e saj.
“Droni ushtarak rus është rrëzuar dje në pjesën lindore të Letonisë. Ka një hetim në vazhdim. Ne jemi në kontakt të ngushtë me aleatët tanë. Numri i incidenteve të tilla po rritet përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe ne duhet t'i trajtojmë ato kolektivisht,” ka shkruar në X presidenti i Letonisë Edgars Rinkevics.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi një nga katër raketat dhe 15 nga 23 dronët e lansuar nga Rusia gjatë natës.
Në deklaratë thuhej se mbrojtja ajrore e vendit funksionoi në rajonin jugperëndimor të Odesës.
Autoritetet ruse nuk kanë komentuar ende mbi asnjërën nga pretendimet./AA