Albina Rugova është shpallur të hënën hendbollistja më e mirë e Kosovës për vitin 2023. Rugova e udhëhoqi Istogun drejt titullit të kampionit, Kupës së Kosovës dhe Superkupës. Ajo kishte paraqitje të mira edhe në gara evropiane, ku Istogu ia doli të kaloi një raund me sukses. Rugova u paraqit mirë edhe me Kombëtaren e Kosovës.
“Fatmirësisht jam ndier shumë mirë me shëndet dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi që jam kthyer nga lëndimi dhe arrita të fitoj çmimin e hendbollistes së vitit për herë të dytë. Kam besuar shumë në punën time dhe e arrita atë që kam dashur”.
“Kemi pritur që t’i fitojmë gjithë trofetë pasi punuam dhe besuam në atë që deshëm, edhe pse kemi kaluar shumë vështirësi pasi që kushtet nuk ishin të mira në palestrën tonë. Me gjithë sfidat, ia kemi arritur qëllimit tonë”.
“Synimet tona për vitin 2024 janë të qarta – t’i rrëmbejmë të gjithë trofetë dhe të kemi sukses në garat evropiane. I falënderoj të gjithë trajnerët e skuadrave që vlerësuan punën time”.