Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave, po vështirëson financimin e shoqatave sindikale në vend, pasi përmes një urdhri ekzekutiv ka pamundësuar ndaljen e parave të punëtorëve për kuotizim (paratë për anëtarësi) sindikal.
Ndaj këtij urdhri ekzekutiv, Naim Rrustemi kryetar i Shoqatës Sindikale te Administratës se Gjykatës Themelore në Prishtinë, po konsideron se mos ndalesa e kuotizmit sindikal nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është ndërhyrje direkte në Statutet e Shoqatave Sindikale dhe Vendimet e Certifikatat e biznesit të cilat i ka lëshuar Departamenti mbi Organizimin Sindikal në kuadër të MPMS-së.
“Pse Thesari të ndërhyjë mbi organizatat sindikale? Me çfarë te drejte i shkel vendimet e MPMS-së për regjistrimin e Shoqatave Sindikale? Me çfarë te drejte nuk e njeh anëtarësinë e Shoqatave Sindikale kur ata një nga një i kanë plotësuar e nënshkruar formularët e dhënë nga MPMS-se? Kush i ka dhënë te drejtën që t’i regjistrojë sindikalistët? Nëse arsyetimi është se po reduktohet stafi i administratës dhe ofrimi i punës digjitale, ky është një mashtrim që nuk ka kurrfarë vlere për shitje. Nëse ata munden që për një kohë mos ta kryejnë pagesën e kuotizmit, mashtrohen qe mund t’i marrin nën kontroll sindikatat duke i varfëruar materialisht. Ne do i shfrytëzojmë gjithë mekanizmat ligjor për ti dhënë sqarim këtij veprim jo të mirë nga MFPT-së”, thuhet në komunikatë.
Me anë të një njoftimi nga MFPT javë më parë është thënë që anëtarët e secilës sindikatë obligohen që të regjistrohen në platformën elektronike shtetërore "e-Kosova", në mënyrë që të paguajnë anëtarësinë në sindikatën përkatëse.