Rrudhani: Jemi të bindur se do ta mposhtim Rumaninë
Në seancën e sotme stërvitore të Kosovës, mbrojtësi Lumbardh Dellova u stërvit veçmas nga grupi, ndërsa pjesë e ekipit të parë ishte edhe futbollisti i Kombëtares U21, Andi Hoti. Seanca u karakterizua nga një intensitet i lartë, me përzgjedhësin Franco Foda që u fokusua në aspektin taktik dhe tranzicionin e ekipit, për ta përgatitur strategjinë e lojës që ka planifikuar për sfidën e madhe ndaj rumunëve.
Mesfushori Donat Rudhani, një nga lojtarët kyç të kombëtares, ka vlerësuar atmosferën pozitive brenda skuadrës dhe shprehu besimin e tij për sukses ndaj Rumanisë.
“Atmosfera si gjithmonë është e mrekullueshme këtu me Kosovën. Është kënaqësi e madhe dhe krenari të jesh i grumbulluar me Kosovën. Stërvitjet e para shkuan shumë mirë, edhe pse unë dje nuk isha pjesë e stërvitjes pasi kam luajtur të dielën, por sot ka qenë stërvitje intensive. Angazhim shumë i madh nga të gjithë lojtarët dhe kemi punuar taktikisht. Besoj që mund të presim vetëm fitore. Ne të gjithë jemi të bindur se do ta fitojmë ndeshjen me Rumaninë. E dimë sa çfarë ka ndodhur në ndeshjen e fundit dhe kjo do të thotë se e kemi një motiv shtesë, prandaj besoj se do të fitojmë. Mesazhi për Dardanët? Shumë faleminderit për mbështetjen. Si gjithmonë edhe në humbje edhe në fitore janë gjithmonë prezent dhe kjo është një krenari shumë e madhe për ne dhe mbështetje e madhe për ne si nga Dardanët ashtu edhe nga të gjithë tifozët”, tha Rrudhani.