Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat komerciale në Kosovë është rritur mbi 6 mijë deri në qershor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Afro 87 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi në gjashtëmujorin e parë. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin qershor është mbi 5 miliardë euro, për çka nga njohësit e ekonomisë vlerësohet si shqetësuese. Derisa, norma mesatare e interesit ka shënuar një rënie të lehtë.
Përkundër kësaj, qytetarët ankohen për kamatat e larta, për çka thonë se po kanë vështirësi në kthimin e mjeteve. Ata potencojnë se për shkak të pagave të ulëta, po detyrohen të marrin kredi.
Edhe Riza Krasniqi, kredimarrës potencon se kamatat janë shumë të larta. Ai konsideron se bankat në Kosovë kanë për qëllim varfërimin e popullit dhe jo zhvillimin ekonomik të vendit.
Eroll Maqedonci derisa tregon se ka marrë kredi për renovimin e banesës, thekson se është sfiduar në kthimin e mjeteve.
Në një përgjigje për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është 5.35 miliardë euro.
Sipas BQK-së norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin qershor 2024 përllogaritet 6.12 për qind, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 6.50 për qind.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj e vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të kredimarrësve.
Për KosovaPress, Kadrijaj thotë se bankat komerciale nuk janë aspak fleksibile, kështu duke qenë arbitrare ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
Përkundër uljes së normës mesatare të interesit, ekonomisti Mustafë Kadrijaj konsideron se kamata është ende e lartë. Sipas tij, qeveria duhet të ndërmerr hapa në këtë drejtim.
Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur vlerën prej 6.13 miliardë euro, duke shënuar rritje për 67.67 milionë euro.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
https://kosovapress.com/rritet-profiti-i-bankave-komerciale-keto-jane-fitimet-per-9-muaj