Rritja ekonomike e pamjaftueshme, GAP tregon sa u realizuan investimet kapitale në këtë vit
Tema
Lexohet për: 3 min.
Hasaj-141224
14 orë më parë
Linku u kopjua

Shkalla e realizmit të investimeve kapitale edhe gjatë këtij viti ka qenë ulët, madje deri në tetor të këtij viti nuk është realizuar as gjysma e buxhetit të paraparë për investime. Kështu thotë drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj, i cili nënvizon se është shumë e rëndësishme që qeveria të rris ritmin e investimeve në sektorin e energjisë, që të krijohet një infrastrukturë e qëndrueshme për bizneset.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasaj thotë se problematikë për vendin vazhdon të mbetet edhe çështja e migrimit, për çka shton se shteti po humb pjesën më produktive të shoqërisë, ndërsa kërkon që Qeveria të jetë më aktive në përmirësimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Përveç, kësaj, Hasaj ka folur edhe për trendët ekonomike, ku tha se norma e rritjes ekonomike rreth 4 për qind është e pamjaftueshme për vendin.

Ai derisa thotë se shkalla e realizmit të investimeve kapitale është një problematike e përvitshme në Kosovë edhe nga qeveritë e kaluara, shton se këtë vit deri në tetor shkalla e realizimit të tyre ka qenë më e ulët se 50 për qind.

“Për vitin 2024, me të dhënat që i kemi deri në tetor të këtij viti shkalla e realizmit ka qenë më e ulët se 50 për qind, pra nuk është realizuar ende as gjysma e buxhetit të paraparë për investime kapitale, dhe natyrisht se kjo kategori do duhej të ishte më prioritare për qeverinë, sepse është kategoria e vetme që asaj ja mundëson që të kryej rolin e saj në ekonomi, duke krijuar një infrastrukturë bazike, të avancuar sistemet e furnizimit me ujë apo sistemet e ngjashme që tërheqin edhe investitorët e huaj, por edhe që t’i nxit ndërmarrësit të investojnë edhe më tej në kapacitete prodhuese. Është shumë e rëndësishme që qeveria të rris ritmin e investimeve në sektorin e energjisë, që të krijohet një infrastrukturë e qëndrueshme ku bizneset janë të sigurta sa i përket furnizimit me energji elektrike, andaj, do duhej të ishte me prioritet që qeveria t’i identifikojë këto pengesat të cilët po ndikojnë një realizim jo të kënaqshëm të investimeve kapitale”, nënvizon Hasaj.

Sfidë për vendin, Hasaj thotë se mbetet migrimi. Sipas tij, nga analizat që kanë bërë është vërejtur një tendencë që personat të cilët migrojnë të jenë persona të cilët qoftë ishin të punësuar në Kosovë apo kanë shkollim të lartë.

Derisa flet për trendin e zhvillimit ekonomik të vendit, konsideron se një rritje ekonomike prej 4 deri në për qind nuk është e mjaftueshme, porse sipas tij, nevojitet një rritje më e madhe që Kosova t’i afrohet standardit të jetesës së qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, në raportin e fundit të Bankës Botërore, parashihet që Kosova të ketë normën e rritjes ekonomike prej 3.8 për qind më 2024. Sipas Bankës Botërore, për vitin 2025, Kosova do të ketë rritje ekonomike 3.9 për qind.

https://kosovapress.com/banka-boterore-parashikon-kete-perqindje-te-rritjes-ekonomike-per-kosoven-dhe-rajonin

https://kosovapress.com/miratohet-projektligji-per-buxhetin-e-vitit-2025

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024