Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” LKIA po vazhdon suksese të pakufizuara gjatë viteve të fundit ku ka pasur progres të jashtëzakonshëm në numrin e udhëtarëve dhe fluturimeve.
Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga zëdhënësja për informim e ANP Valentina Gara, ku është bërë i ditur numri i udhëtarëve dhe fluturimeve në tremujorin e parë të vitit 2024.
Gara shtoi se viti 2023 arriti në përfundimin e tij me 3,424,883 udhëtarë ose 14,37% më shumë se viti 2022, ndërsa numri i fluturimeve ishte 23,278 fluturime ose 7,50% më shumë se viti 2022.
“Tremujori i parë i vitit 2023 pati 649,858 udhëtarë ndërsa viti 2024 shërbeu 839,546 udhëtarë ose 29,19% më shumë. Tremujori i parë i vitit 2023 shërbeu 4256 fluturime, ndërsa tremujori 2024 kishte 5376 ose 26,32% më shumë”, thuhet tutje.
“Jemi të entuziazmuar të dëshmojmë suksesin e jashtëzakonshëm që kemi arritur viteve të fundit. Falenderojmë udhëtarët tanë, partnerët, stafin e përkushtuar dhe të gjithë komunitetin për mbështetjen e tyre të paçmuar. Për më tepër, ne ia atribuojmë këtë sukses angazhimit të palëkundur për të ofruar shërbimet më të mira të mundshme dhe për të garantuar nivelet më të larta të sigurisë për klientët tanë të çmuar. Kënaqësia dhe siguria e udhëtarëve tanë, mbetet prioriteti ynë kryesor”, tha Ozturk.
Sipas komunikatës, rritja e numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve ka rezultuar poashtu në një kontribut të madh për Republikën e Kosovës.
Poashtu bëhet e ditur se gjatë vitit 2024 janë shtuar linja të reja dhe frekuenca të reja shtesë e atyre ekzistuese.
“Linjat dhe frekuencat shtesë të reja të shtuara për vitin 2024 janë: Luksemburg, Halmstad, Riga, Izmir, Frankfurt Hahn, Burgas, Këln Bon, Oslo, Kopenhagë etj”, përfundon njoftimi.