Nënshkruhet memorandum mirëkuptimi ndërmjet kryetarëve të komunave të rajonit të Prishtinës për zhvillimin e një plani ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave dhe marrëveshjes për bashkëpunim ndërkomunal për punë të përbashkët në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
Në këtë marrëveshje për planin e integruar të mbeturinave, janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.
Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Linda Çavdarbasha, ka thënë se kjo ministri është e përkushtuar që t’i mbështesë komunat e Kosovës për menaxhimin dhe klasifikimin e mbeturinave. Ajo tha se memorandumi krijon mundësinë e procesit të ndarjes në burim dhe për riciklim të mbeturinave.
“Kjo krijon mundësinë e komoditetit për komunat që të krijojnë kushte për fillimin e procesit të ndarjes në burim, për riciklim, për ripërdorim si aspekte fillestare drejt një koncepti të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe të ekonomisë qarkore. Po ashtu, niveli qendror ka nevojë për nivelin lokal në mënyrë që të arrijë objektivat”, tha ajo.
“Partneriteti do të jetë instrumental në investimet afatgjate në përmirësimin e mjedisit në këtë rajon. Fokusi i punës aktuale është që të përmirësojë shërbimet bazë sa i përket mbledhjes së mbeturinave, transportit dhe asgjësimit. Niveli i mbledhjes së mbeturinave është në rritje dhe gjithashtu numri I deponive ilegale është ulur, mirëpo shumë probleme mbesin si rezultat i infrastrukturës së dobët dhe zbatimit jo efiçient të legjislacionit”, u shpreh ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama këtë memorandum e ka quajtur nismë të mirëfilltë për komunat e rajonit të Prishtinës, teksa ka kërkuar mbështetje edhe për fusha tjera për komunat.
Ndërsa, menaxheri i Projektit në GIZ, Stefan Mager, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi shënon hapin e parë të procesit për krijimin e planit të integruar të mbeturinave.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së memorandumit të mirëkuptimit shënon hapin e parë të procesit në të cilin komunat ndër vete dakordohen që të vazhdojnë politikisht në atë drejtim. Në të njëjtën kohë këto hapa shënojnë fillimin e procesit të detajuar teknik dhe politik për krijimin e planit të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe gjithashtu angazhohen për zhvillim në të ardhmen”, theksoi ai.