Rritet 120 për qind numri i fëmijëve të pastrehë në Francë
Numri i fëmijëve të pastrehë në Francë është rritur 120 për qind gjatë katër vjetëve të fundit, sipas një raporti të publikuar sot nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).
UNICEF France raportoi se natën e 19 gushtit, të paktën 2.043 fëmijë ishin pa strehim, duke shënuar një rritje prej 120 për qind nga viti 2020. Ndër këta fëmijë, 467 janë nën moshën tri vjeç. Kjo shënon herën e parë që numri i fëmijëve të pastrehë ka kaluar 2.000, gjë që UNICEF-i në Francë e cilësoi si “alarmante”.
Pascal Brice, kreu i Federatës des Acteurs de la Solidarite (FAS), kritikoi qeverinë për dështimin për të adresuar çështjen në mënyrë efektive, pavarësisht një angazhimi të bërë në vitin 2022 për të zgjidhur krizën. Brice bëri thirrje për largimin e menjëhershëm të këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre nga "situata e tyre e padenjë".
“Kjo rritje e pandërprerë e numrit të fëmijëve të pastrehë është një tragjedi. Për të gjashtën herë, barometri ynë zbulon një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës, në shkelje flagrante të parimeve të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, të cilën Franca e ka ratifikuar”, tha Adeline Hazan, presidente e UNICEF-it në Francë.
UNICEF France dhe FAS i kanë kërkuar qeverisë së re franceze të rrisë numrin e strehimoreve siç është premtuar që nga janari 2024.
Situata është përkeqësuar nga zhvendosja e njerëzve të pastrehë në Paris dhe zonat përreth tij përpara Olimpiadës së Parisit 2024, e cila u zhvillua nga 26 korriku deri më 11 gusht.
Politika është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe shoqatat e migrantëve për dështimin në ofrimin e zgjidhjeve të përhershme të strehimit për të prekurit. /AA