Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka njoftuar se rezultatet laboratorike të mostrave të marra nga uji i Badovcit kanë dalë se ka tejkalim të standardit për mangan.
IKSHPK ka rekomanduar që uji të mos pihet.
Në një komunikatë për media nga IKSHPK thuhet se mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.
“Të dhënat e analizave të bëra dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftim.“IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 ‘Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu’. Bashkëngjitur, harta me zonat që furnizohen nga Liqeni i Badovcit”, përfundon njoftimi.