Përkundër që nuk ka ardhur ndonjë investitor serioz me renome botërore, investimet e huaja këtë vit kanë arritur shifrën gati 600 milionë euro ose 43 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Këto investimet të huaja kryesisht dominohen prej investimeve në patundshmëri dhe në shërbime financiare.
Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj pret që eksportet sivjet të arrijnë vlerën rekorde, 1 miliard euro.
Teksa ka treguar se nga eksportet e sivjetme, mbi 15 për qind prej tyre janë të tregtuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Dedaj në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se në vitin 2023 pritet të investojnë në Kosovë, kompani me renome botërore, “Lidl” dhe “KD Business Development”.
Ai ka përmendur si të arritur sivjet në këtë fushë, ardhjen kompanisë “Gold Ventures Investments Ëestern Balkan”, në Parkun e Inovacionit në Prizren (ITP).
“Kemi progres dhe komunikim të vazhdueshëm edhe me kompaninë “Lidl”, shumë shpejt do të jetë takimi për hapa konkret. Po ashtu, kemi edhe investitorin gjerman “KD Business Development”, që merret me industrinë e metal prodhimit. Ky investitor është ende në proces, mirëpo ndonjëherë ka sfida në Kosovë, procedura burokratike, ku kemi të bëjmë me komunat për akomodimin e bizneseve nëpër komuna. Por, rrjedhimisht është një frymë pozitive dhe një interes mjaft i lartë i investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë dhe tani më është evidente që ka rezultate, por kjo nuk do të thotë që ne jemi të kënaqur”, tha ai.
Sipas Dedaj, investimet e huaja për herë të para kanë arrit gati 600 milionë euro.
Gjatë vitit që po lëmë pas KIESA ka pasur disa aktivitete në sektorin e eksportit, ku ka marrë pjesë dhe organizuar 14 panaire të ndryshme ndërkombëtare me rreth 110 biznese prodhuese vendore të sektorëve prioritare.
Sipas Dedajt, KIESA do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm me nxjerrjen e ligjeve të reja, me politika të reja dhe lehtësira të tjera shtesë, me qëllim që të rriten edhe më shumë investimet e huaja direkte.