Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë pasivizuar rreth gjashtë mijë adresa, që po konsiderohet veprim diskriminues e anti-kushtetues nga qeveria e Beogradit. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi deklaron se Kosova dhe Shqipëria nuk kanë strategji për trajtimin e çështjes e banorëve të Luginës së Preshevës.
Në intervistën për KosovaPress, Mustafi shprehet se tri këto komuna kanë varfërinë më të lartë në Serbi dhe janë vendet më pak të zhvilluara.
Sa i përket pasivizimit të adresave, ai deklaron se është veprim diskriminues dhe anti-kushtetues nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
“Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare dhe disa intelektualëve janë diku rreth gjashtë mijë adresa të shqiptarëve që janë pasivizuar gjatë tërë këtyre viteve. E aq më tepër që ka goditur Komunën e Medvegjës ku janë edhe më pak shqiptarë atje. Pasivizimi i adresave vjen si pasojë e adresimit të çështjes së Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Zvogëlimi numerik i shqiptarëve në Medvegjë, e posaçërisht në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës vjen si pasojë e nevojës për t’u zgjidhur çështja e Luginës së Preshevës. Në këtë mënyrë tentohet të krijohet një lloj simetrie me serbët në Kosovë”, shton Mustafi.
Mustafi thekson se mungesa e perspektives në Luginë është si pasojë e abuzimit me të drejtat fondamentale të shqiptarëve. Në mungesë të zhvillimit ekonomik, një numër i madh i banorëve edhe janë shpërngulur.
“Pasur parasysh që Qeveria e Serbisë ka një plan konkret dhe ka një institucion i cili merret 24/7 me Kosovën dhe kjo është Qendra Koordinuese për Kosovën, ku punojnë 96 persona. Përderisa qoftë Qeveria e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë nuk ka as plan veprimi, as strategji, as institucion, i cili është i dedikuar që të trajtojë çështjes e banorëve të Luginës së Preshevës. [...] Ky është një hap i madh që për herë të parë hyn në linjë buxhetore edhe mbështetja ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës por konsiderojmë që është i mangët përderisa nuk ka edhe një fond nga Republika e Shqipërisë”, shprehet ai.
Mustafi për KosovaPress flet edhe për mosnjohjen e diplomave të Kosovës nga Serbia, përkundër marrëveshjes se arritur mes dy shteteve e që vështirëson shumë jetën e shqiptarëve të Luginës që vijojnë shkollimin në Prishtinë.
“Sot diplomat nga Universitetet e Kosovës janë totalisht të panjohura për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe janë hasur në probleme dhe nuk mund të nostrifikohen (njihen) edhe diplomat nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. [...] Unë konsideroj që kjo është shkelje flagrante e të drejtave më fondamentale të njeriut, për shkak se Republika e Serbisë nuk mund të arsyetojë se nuk po ja njoh qytetarëve të vet diplomat me arsyetimin se në Kosovë nuk është duke u njohur Universiteti i Prishtinës. Me arsyetimin se Kosova nuk njeh një universitet në Mitrovicën e Veriut, nuk ja njeh qytetarëve të vet diplomat”, përfundon ai.