Janë rreth 50 gjoba që ka shqiptuar Inspektorati i Punës që nga hyrja në fuqi e rregullores për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë. Në këtë drejtim, inspektorati i kryeqytetit po ndërmerr masa kundër zhurmës dhe thonë se në masë të madhe kanë arritur ta evitojnë bezdisjen në zonat e kryeqytet.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress, drejtori i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi. Kurse, nga Shoqata e Gastronomisë kërkon që kjo rregullore të përmirësohet në mënyrë që mos të ketë intervenime nga Policia.
“Kemi arritur të sjellim në kryeqytet qetësinë e munguar, të evitojmë atë bezdisjen që kemi pasur në zonat e banimit në masë të madhe... 00:48 Nga ana e gastronomëve ka disa vërejtje sa i përket funksionimit të këtij sistemi, por të them të vërtetën mbi bazën e sqarimeve që ka ofruar kompania në këtë rast, më tepër po i konsideroj si disa justifikime për rastet të cilat po ndodhin... Pjesa dërmuese është pajisur me matësit e zhurmës, gjatë inspektimit tona, natyrisht që shohim nëse eventualisht ka lokale të tilla, dhe mos të them tash vonë kemi rastisur në një lokal, i cili fare nuk ka aplikuar për t’u pajisur dhe po vazhdojnë”, thotë Dushi.
Dushi derisa tregon punën që po bëjnë në terren, thotë se janë shqiptuar rreth 20 vërejtje për ata që nuk po respektojnë vendimin e komunës, e po ashtu edhe rreth 50 gjoba.
Ndërkaq, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica ka adresuar ankesa sa i përket kompanive që i rregullojnë këto çështje. Sipas tij, ky vendim është i mirëkuptueshëm deri te pjesa ku nuk dëmtohen bizneset, por jo edhe në mënyrë të padrejtë.
Vranica lidhur me zbatimin e rregullorës së re, pati edhe një kërkesë. Sipas tij, duhet që përmes kësaj rregullore të respektohet ligji dhe mos të intervenojnë edhe Policia.