Rreth 120 punëtorë teknikë të shkollave fillore e të mesme kanë nisur nga sot grevën. Për më shumë se një vit ata po kërkojnë rritjen e pagave, njëjtë si punëtorët që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre gjatë javës, javën e ardhshme do të lënë punën.
Me përjashtim të shkollës “Dardania” në kryeqytet, në të gjitha shkollat sot ka nisur greva e punëtorëve teknikë.Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, Jusuf Azemi tha se kjo grevë ka nisur me kërkesën e punëtorëve.
“Të gjitha shkollat janë në grevë dhe realisht kjo grevë ka ardhur si pasojë e presioneve të punëtorëve. Në bazë të vendimit që kanë marrë punëtorët, këtë javë do të negociohet, nëse nuk ka negocime, javën tjetër të gjithë punëtorët do të lirojnë vendet e tyre të punës dhe të sjellin punëtorë të tjerë...”, tha ai para mediave.
Nazif Hyseni, i cili është punëtor teknik në shkollën “Naim Frashëri” kërkon që të jetë i barabartë me punëtorët tjerë teknikë, të cilat janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës.
Edhe Nadire Buzaku e cila është punëtore teknike në shkollën “Naim Frashëri” shpreh pakanëqësitë e saj me pagesën.