Po mbahet dita e dytë e simpoziumit për sëmundjet kronike jo-ngjitëse në Kosovë ku po diskutohet për sëmundjet e zemrës, diabetin dhe kancerin.
Drejtori i Shkencës dhe Shëndetit Publik në Federatën Botërore të Zemrës, Sean Taylor, derisa prezantoi “Gjendjen e Raportit Botëror të Zemrës 2022”,tha se janë rreth 100 milionë njerëz që jetojnë me sëmundje kardiovaskulare në Evropë, dhe se numri po shkon duke u rritur "duke u bërë një sfidë për sistemin shëndetësor".
Ai shtoi se faktorë të tjerë janë ndotja e ajrit dhe niveli i ulët i aktivitetit fizik, që ndikon në nivelin e rritjes së vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Ndërkaq, menaxherja e lartë e programit në Fondacionin Botëror të Diabetit, Mette Skar, potencoi se në aspektin global janë rreth 435 milionë njerëz që jetojnë me diabet dhe se ka gjasa që ky numër të rritet në 700 milionë deri më vitin 2035.
Ndërsa, përmes një prezantimi online, drejtori i Politikave në Organizatën Evropiane të Kancerit, Richard Price, theksoi se kujdesi ndaj kancerit është një fushë komplekse dhe “shkenca ka në vete kompleksitet sepse çdo ditë kanceri sjellë të reja” dhe se sipas tij duhet bashkëpunim të ngushtë për të pasur sukses.