Rregullorja e re e Kuvendit me dispozita kundër kushtetuese, kërkohet të shqyrtohen mes dy leximeve
Lexohet për: 3 min.
Seanca Plenare ne Kuvendin e Kosoves (7 of 28)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Megjithëse para dy muajsh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë rregulloren e re, e njëjta po konsiderohet se ka elemente kundër kushtetuese. Konferenca e kryetarëve, sanksionimi i deputetëve dhe mocioni individual i mosbesimit, po vlerësohen nga shoqëria civile se bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend. Për të këtë arsye kërkojnë të bëhen ndryshimet e nevojshme para miratimit në lexim të dytë në Kuvend.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk pranuan të flasin për këto pretendime, ndërsa në partinë opozitare, PDK thonë se nuk do ta përkrahin rregulloren e re të Kuvendit nëse ka ndonjë dispozitë në kundërshtim me Kushtetutën.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë për KosovaPress, se konferenca e kryetarëve që është paraparë në rregulloren e re, ndërhynë në kompetencat e kryesisë dhe të kryetarit të Kuvendit.

“Ka një sërë çështjesh problematike si në aspektin kushtetues, ashtu edhe në aspektin e praktikave të mira që duhen të adresohen nga ana e Kuvendit në mes dy leximeve. Njëra prej tyre është aspekti i sanksionimit të deputetëve dembel që nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit. E para është se duhet të njohin faktin se është shumë legjitime nëse merren masa ndaj deputetëve që pa asnjë arsye mungojnë dhe nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Por duhet të pasur parasysh se deputetëve dhe veçanërisht atyre të opozitës duhet t’iu njihet e drejta e bojkotit politik…Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, kompetencat e së cilës ndërhyjnë në kompetencat e kryesisë së Kuvendit dhe kryetarit të Kuvendit. Për këtë arsye, IKD rekomandon që të fuqizohet roli i kryesisë së Kuvendit të Kuvendit, ku janë të përfaqësuara të gjitha grupet opozitare dhe jo të shkohet në një konferencë të kësaj natyre. Pasi nëse kësaj konference ia heqim këto kompetenca jo kushtetuese dhe ndërhynë në kompetencat e institucioneve të tjera, atëherë roli i kësaj konference bëhet jo relevant”, thotë ai.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa thotë për KosovaPress, se kanë 13 amendamente për rregulloren e re të Kuvendit në lexim të dytë.

Ai është optimist se në lexim të dytë, para miratimit në Kuvend, do të përmirësohen elementet që po konsiderohet në kundërshtim me Kushtetutën.

“Rregullorja ka qenë kërkesë e disa legjislaturave, është punu shumë për me ardh deri këtu dhe ka kaluar në lexim të parë. Kemi amendamente edhe ne si PDK, i kemi diku 13 amendamente dhe ne do t’i përkrahim gjitha ato ndryshime që janë me rregullore të re të cilat nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mundemi të përkrahim një rregullore e cila ka ndonjë dispozitë të caktuar që është në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë unë mendoj se grupi punues mes dy leximeve do të jep kontributin e vet dhe do të përmirësojnë ato pjesë që janë ndesh me Kushtetutën”, thotë ai për KosovaPress

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 22 shkurt të këtij viti kanë miratuar në lexim të parë rregulloren e re të Kuvendit.

Për miratimin e saj në lexim të dytë nevojiten votat e 2/3 të deputetëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024