Deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë mbështetur projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se qeveria ka punuar për hartimin e projektligjin që rregullon çmimet e barnave dhe të njëjtin do ta sjell në Kuvend gjatë sesionit vjeshtor.
Partia Demokratike e Kosovës, si propozuese e këtij projektligji ka kërkuar nga deputetët që të përkrahin këtë nismë meqë sipas tyre do të ndalonte abuzimet në këtë sektor.
Sipas PDK-së, sfera e rregullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale është prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndalur abuzime me blerjen e barnave me çmime shumë më shtrenjtë se çmimet e tregut.
Sipas tyre, qytetaret e Kosovë blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit andaj një rregullim i cimeve me ligj është i nevojshëm sa më parë.
“Ju keni me pas shansin të na ndihmoni më shumë me këto për shkak se Ministria e Shëndetësisë sipas programit legjislativ qeveritar për vitin 2022 i ka këto dy, edhe ligjin tjetër që kemi për të diskutuar pak më vonë, në fazën e fundit, në realitet projektligji për barnat ka mbaruar, është i kryer, është jashtëzakonisht i mirë dhe ju keni me pas shansin të shtoni diçka, me heq diçka, por sigurisht do ta keni shansin ta bëjmë ligjin më të mirë. Po pajtohem me të gjithë juve që ne duhet të kemi ligj, sepse vetëm Bjellorusia dhe ne nuk kemi ligje për këtë, këtë do ta bëjmë dhe do ta realizojmë në seancën vjeshtore të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
Ndërsa për projektligjin e propozuar nga PDK është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ku sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj kjo çështje duhet të marrë epilog sa më shpejtë në mënyrë që sipas tij të mbrohen qytetaret.
Miratim në parim të projektligjit të propozuar nga PDK ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë që shumica duhet të përkrah këtë nismë në të kundërtën sipas tij rrezikohet që Kuvendi të ketë bllokadë.
Komisioni funksional për Shëndetësi i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e miratojë në parim këtë projektligj me arsyetimin se qeveria tashëm e ka në strategjinë legjislative një projektligj të tillë.
Çështja e rregullimit të çmimit të barnave është përcjellë me debat në seancën e së enjtes ku partia në pushtet ka kritikuar qeveritë e kaluara pse nuk e kanë rregulluar një gjë të tillë për 20 vjet.
E për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“E tha kolegu pse nuk e keni bërë më herët për 20 vjet, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ua kemi sjellë lirinë, me Hashim Thaçin e ke shpallë pavarësinë, me Ramushin e Kadrinë e kemi bërë ushtrinë, nuk kemi mundur bre t’ua kryejmë të gjitha, më besoni, ju kemi lënë diçka edhe juve, këto ligje të paktën bëni ju”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Po më vjen keq Kamish që keni qenë kaq të zënë”, ka thënë Konjufca.
Diskutimet në lidhje me këtë projektligj janë duke vazhduar në seancën e Kuvendit të Kosovës.