"Prej 18 qershorit 1999 nuk e kam veshur më kurrë”, thotë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevahir Geci për uniformën të cilën e ruan për 25 vjet.
Ai e ruan si simbol të krenarisë dhe sakrificës, ku tregon se hera e fundit që e kishte veshur është dita kur u çlirua Skenderaj. Geci bashkë me ushtarë të tjerë të UÇK-së po ndihmonin popullatën të hynin në qytet të lirë. Ish-komandanti i Batalionit të Parë në Brigadë 112 "Arben Haliti", rrëfen për KosovaPress për gëzimin e asaj dite, ani pse tregon që pothuajse në të gjitha fshatrat po vinte era tym nga terrori serb. Mes tjerash, flet edhe për lidhjet familjare me komandantin legjendar, Adem Jashari, teksa rrëfen edhe për një rast se si ishin rrethuar nga forcat serbe në shtëpinë e tij.Përveç djegies së shtëpive, shumë nga qytetarët atë ditë po qanin për familjarët e vrarë e të zhdukur në luftë. Lufta në Drenicë, shton Geci, ka vazhduar deri më 18 qershor, për çka rrëfen se popullata po ballafaqohej me luftë për ekzistencë.
Teksa kujton luftën çlirimtare, ai flet për komandant Adem Jasharin, për çka shprehet se është e paktë çka shkruhet e thuhet për prijësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai rrëfen se ka qenë e vështirë kur gjatë ballafaqimeve me serbët, kanë pësuar shokët e tij të luftës.
Ish-komandant, Xhevahir Geci flet edhe për trimërinë e Salë Jasharit, e cila u vra nga forcat serbe 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Në përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, ai thotë se ndihet keq që po gjykohet lufta e pastër e UÇK-së.