Shiu gjatë së hënës po u kujton ditën kur fshati Çikatovë e Vjetër u rrethua nga forcat policore serbe. Të mbijetuarit, familjarët e banorët e këtij fshati në Drenas kërkojnë drejtësi për të masakruarit e lagjes “Morina”, eshtrat e të cilëve më pas u dërguan në varreza masive në Serbi.
Ish-ushtari i UÇK-së, Afrim Morina po jeton me dhimbjen për familjarët e vrarë, në mesin e të cilëve babën dhe axhën.
Ai kujton mëngjesin e para 24 vjetësh, ku tregon se i gjithë fshati ishte bërë tymë.
Pas masakrimit të trupave, eshtrat e tyre ishin dërguar në varreza masive në Serbi.
Ndërsa i mbijetuari i kësaj masakre, Petrit Morina po kërkon drejtësi për gjashtë familjarët që ka humbur në këtë masakër.
“Para 24 vjetësh, ushtria e rregullt e Serbisë na ka nxjerrë me dhunë nga shtëpitë tona, gra dhe fëmijë i ka nisur në drejtim të Drenasit dhe të gjithë meshkujt e shtëpive i ka nxjerrë prej shtëpive dhe na kanë qitur para pushkatimit. Aty kam humbur gjashtë anëtarë të familjes, babën, vëllaun, dy axhallarët dhe një nga një djalë. Pas një kohe që janë larguar forcat serbe, unë jam larguar me axhën Sokol dhe dy kushërinj të tjerë dhe deri në mbrëmje dhe ushtria serbe ka hyrë dhe i ka plaçkitur shtëpitë tona, i kanë marrë veturat, traktorët dhe mandej i ka djegur shtëpitë tona. Pas një muaji e gjysmë, ka ardhur ushtria serbe dhe për të humbur gjurmët e këtij krimi që i ka bërë në fshatin Çikatovë e Vjetër dhe i ka nxjerrë me eskavatorë dhe i ka marrë kufomat i ka dërguar në Serbisë”, shprehet Morina.
Edhe axha i tij, Sokoli, ka kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e pafajshme.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, vetëm në Çikatovë të Vjetër janë të vrarë mbi 40 persona.