Rrahman Jasharaj letër Konjufcës: Na duhet një ekip i pavarur për shëndetin mental
Lexohet për: 3 min.
rrahman jasharaj (7 of 8)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj i është drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, përmes një letre.

Ai i ka kërkuar numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje një ekip të pavarur për “shëndetin mental”.

“I nderuari Konjufca na duhet një ekip i pavarur për shëndetin mental. I nderuari kryetar i Parlamentit të Kosovës nuk të jam drejtuar me këtë ide se nuk kam dashur të ta prish pozitën në parti. Tani kur lexova se je i madh në LVV dhe në Parlament, po se po,  të drejtohem me një kërkesë shumë njerëzore që ta shpëtosh Kosovën. Kërko nga miqtë ndërkombëtarë një ekip mjekësh për shëndetin mental sepse kjo është nevojë parësore për Kosovën. Të lutem bëje ligjore dhe në  këtë kontroll duhet të shtrohen në emër të ardhmërisë  së Kosovës kryeministri me tërë qeverinë, pastaj unë si kryetar i SBASHK-ut me gjithë veprimtarët sindikalë, disa nga deputetët, që partia në pushtet i zgjedh, disa nga analistët, shumë nga ata që fshehin emrin dhe fytyrën, që nuk e kanë në rrjete sociale dhe edhe të tjerë që paraqiten vullnetarë”, thuhet në kërkesën e Jasharajt.

Ai ka thënë se Kosova aktualisht ka një pamje fatkeqe, të ngjashme me atë të pasluftës, për çka apeloi Konjufcën që të ndërmerr masa.

“I nderuar kryetar i Parlamentit në Kosovë këtë kërkesë po ta bëj në emër të ardhmërinë së Kosovës sepse diçka nuk është në rregull. Te ne i gëzohemi pse i kemi çlirimtarët në burg. I gëzohemi se po arrijmë të vëmë në sprova sindikatat, po gëzohemi kush shajmë e fyejmë figurën e mësuesit. Gëzohemi pse nuk ka as edhe një debat për krimet që ka bërë pushtuesi nëpër vite. Gëzohemi që dikush shanë e fyen  mësuesin e viteve të 90-ta. Gëzohemi që ‘analistë’ dalin e thonë se paskemi 76 % të nxënësve analfabetë. Gëzohemi e thërrasin në studio njerëz ‘analistë’ që thonë se atë që kanë mësuar e kanë mësuar në fakultet, që do më thënë shkronjat i paskan mësuar në fakultet. Gëzohemi kur dikush i madh thotë se Kosova na qenka vend i i krimit që duhet ç’kapur e pastaj për ta kapur e ngulfatur. Kryetar na duhet një  ekip i besuar i mjekëve të shëndetit mental dhe ata që dalin keq le të shtrohen në spitale e të shpëtojë kjo Kosova e larë me gjak e me djersë. Në gjithë botën shikuar, vetëm te ne shahen e fyhen vlerat e luftës, vlerat e arsimit shqip dhe demokracia e nuk ndalen deklarimet se duhet krijuar taborre nëpër lagje për të luftuar e për t’ua nxirë jetën atyre që mendojnë ndryshe nga pushtetmbajtësit e përkohshëm”, vijon Jasharaj në letrën e tij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025