Rrahja e tre shqiptarëve në Malin e Zi, kreu i UDSH-së: Rezultat i politikës serbe
Lexohet për: 3 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH), Meto Zenka, ka deklaruar se rrahja e tre shtetasve shqiptarë sot në Malin e Zi është rezultat i politikës së “Serbisë së madhe”.

Ai në “Review” të Euronews Albania, ka treguar se të shumta janë rastet e tilla në Malin e Zi, për motive politike.

“Ne kemi reaguar menjëherë sapo morëm vesh për incidentin. Nuk është rasti i parë që ndodhin incidente të tilla, sidomos incidente të drejtuara kundrejt shqiptarëve e boshnjakëve në Malin e Zi. Kjo dëshmon se Mali i Zi me këto struktura të reja që kanë ardhur në pushtet, edhe pse maskohet me një lloj pacifizmi të rremë, rast pas rasti e tregon fytyrën e vet. Politika serbomadhe realizohet përmes këtyre ngjarjeve. Elektoratin e tyre e drejtojnë kundër pakicave në Malin e Zi dhe shqiptarëve”, ka thënë ai.

Ai tha se për ngjarjen e sotme pret të kontaktojë kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq për të marrë më shumë informacion dhe për t’u njohur me qëndrimin e tij.

“Duhet të kontaktoj edhe kryeministrin të marrë opinionin e tyre çfarë ka ndodhur. Por nga fytyra e shqiptarëve, ata kanë përjetuar një dhunë të mirëfilltë. Ka reaguar në Mal të Zi vetëm komuniteti i Helsinkit që e ka dënuar ashpër dhunën. Por duke pasur parasysh që kryetari i Parlamentit (Andrija Mandiq) në Malin e Zi është një radikal kundër pakicave, ata nuk kanë reaguar. Ithtarët e politikave të tyre janë të influencuar prej tyre dhe përdorin shpeshherë edhe dhunën kundër shqiptarëve. Ata nuk mund të pajtohen kurrsesi që Kosova është një shtet në ngritje e sipër dhe janë të acaruar edhe me thirrjet e (kryeministrit Albin) Kurtit që i ka dhënë një karakter të ri politikës shqiptare në Ballkan”, tha Zenka.

Tre shtetas shqiptarë rrihen nga persona me uniformë ushtarake në Mal të Zi • KosovaPress

Tre të rinjtë shqiptarë u rrahën nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake. Zenka thotë se ka pasur raste kur është burgosur një tifoz me flamurin shqiptar në Budva, kinse për shqetësim të opinionit me paraqitjen e simbolit kombëtar.

“Kur ata janë shumica dhe janë grupime të mëdha, kryejnë këto ngjarje. Jam i mendimit se meqë sot festohet edhe Krishtlindja e festës ortodokse, ata kanë qejf që rinia e tyre të përdorë edhe uniforma të ndryshme, si këto ushtarake të ditës së sotme. I përdorin si një forcë simbolike, apo njëfarë mesazhi”, u shpreh Zenka.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024