I kam lexuar disa libra të shkruara nga Jusuf Buxhovi. Romanet Nata e Shekujve dhe Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, të cilat i pata gjetur dhe lexuar në burgun e Pozharevcit, diku në vitin 1986, i kam vlerësuar si krijime me vlerë në letërsinë e shkruar në Kosovë.
Pasi e kam lexuar vëllimin e tretë të librit, Kosova – Nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati ndërkombëtar-, botim i vitit 2012, veçënarisht pjesën ku shkruan për ngajrejt e tri dekadave të fundit të shekullit XX, ku lehtësisht mund të konstatohej se intencë e Buxhovit ishte që përmes sajimeve dhe trillimeve, ai e din arsyen përse, të mbjellë fakte të paqëna historike, duke pretenduar të mveshë me të gjitha meritat një strukturë të caktuar komuniste, e rreshtuar në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë përkatësisht të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës në njërën anë dhe të stigmatizojë forcën motorike të rezistencës kundër pushtuesve serbo-jugosllav në anën tjetër.
Për shkak se Buxhovi nuk më kishte bindur se ka qasje serioze dhe shkencore në shkrimet e tij, atij si gjysëm intelektual i formuar me njëmendësi totalitare në kohën e komunizmit jugosllav, ia kam neglizhuar dhe injoruar shkrimet. Kështu, nuk kam arritur të jem në dijeni të botimit të një ”libri- roman”, të shkruar nga ai, në vitin 2016.
Kritika e shkruar para disa ditësh nga miku im Reshat Sahitaj më ngjalli kurreshjtjen dhe e gjeta për t’a lexuar këtë libër.
Pasi e lexova “romanin” Dosja B, nuk mund të rri pa shkruar disa fajlë për këtë dosje të Buxhovit, e cila mund të them se është rrënqethëse dhe tronditëse në kuptimin se deri ku mund të shkojë histeria krijuese kundër vetvetes...Si nuk jemi të alarmuar, si shoqëri, si komb e si popull se ç’rrjedhë po synohet t’i krijohet kulturës sonë, letërsisë sonë, historisë sonë….
Pas përfundimit të luftës çlirimtare, sajimet dhe konstruksionet kundër luftës çlirimtare dhe UÇK-së, kanë qenë në trend. Heshtja ndaj tyre ka bërë që; ata të cilët nepërmes shpifjeve, insinuatave e trillimeve, kanë zënë vend në podinë, tash të rrezatojnë guxim e trimëri, duke e keqëpërdorur skajshmërisht lirinë, kurse më meritorët e sjelljes së lirisë i kanë shndërruar në protogonistë të: denigrimit, nënçmimit, devalorizimit, shpërdorimit, linçimit, stigmatizimit, përjashtimit, demonizimit, krimit, akuzimit dhe së fundi edhe arrestimit e dënimit…. shtrohet pyetja e thjeshtë; qëllim i kujt ka qenë të krijohet e tillë pasqyrë për forcën motorike që solli ndryshimet e mëdha, që është më meritorja për arritjen e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë në Kosovë. Kam frikë se duke goditur këtë strukturë goditet palca kurrizore e shtetit të Kosovës, qëllohet në themelet e shtetit për çka më së shumti është e interesuar dhe nuk rreshtë se investuari shteti i Serbisë i prirë nga strukturat e shërbimeve sekrete të tij…
Më së miri këtë bashkëjetesë Buxhovi e përshkruan në “roman”, në momentin kur drejtori i dhunshëm i kombinatit bujqësor atje diku në Dushkajë, i ardhur nga Nishi e thërret agronomin shqiptarë dhe i thotë se mua përkohësisht më ka vendosur regjimi e politika në këtë pozitë, kurse ju duhet të thirrni të gjithë punëtorët, madje edhe ata sezonal e të punoni dhe të krijoni mirëqenie. Këtë dashamirësi ndaj punëtorëve shqiptarë nuk e kanë pasur administratorët e okupatorit të cilët përveq shërbëtaorëve të tyre, spostuan nga puna, nga jeta publike, madje edhe nga e drejta për të jetuar të gjithë shqiptarët në Kosovë dhe më gjërë ku ata kishin ndikim…
Në Dosjen e tij, Buxhovi tmerrësisht i frynë përçarjes së brendshme nacionale duke u munduar që Lëvizjen e organizuar antipushtuese ta paraqesë si lëvizje marksiste leniniste, lëvizje të majtë, ilegale, skajshmërisht të ideologjizuar e ndikuar, madje edhe e dirigjuar nga Beogradi e Moska, kurse partinë të cilën thotë se e ka krijuar, sikurse veten dhe sojin e tij, i paraqet të urtë, të menqur, properendimor, antikomunistë dhe krijues të shtetit të Kosovës. Për ta vulosur këtë konstatim të tij ai fshihet pas “analizave të psikologut, sociolugut dhe politologut gjerman” të cilët vinë nga Gjermania sikurse hetuesi gjakpërzier dhe i bëjnë “rentgen” shoqërisë sonë…
Njohësit ndërkombëtarë të ushtrive dhe të luftrave nuk ngurrojnë ta cilësojnë UÇK-në si guerilen më të sukseshme në botë. Kurse Buxhovi mundohet të krijoj përceptimin se UÇK ka luftuar kundër shqiptarëve, ka luftuar për të bërë revolucion socialist apo për internacionalizëm proletar dhe për marrje të pushtetit me dhunë. A nuk është anakronike kjo qasje edhe 27 vjet pas dështimit të komunizmit dhe konceptit socialist për shtetin e shoqërinë?! Mbase kjo, mund të jetë indikatori më i mirë se Buxhovi nuk ka mundur të lirohet nga ideologjia e njëmendësisë totalitariste të komunizmit jugosllav. Dihet botërisht se ai ka qenë anëtarë i Lidhjes Komuniste jugosllave, dhe shërbyes i devotshëm i saj, prandaj ai në asnjë rrethanë nuk flet për krimet e komunizmit në Jugosllavi por flet vetëm për krimet e komunizmit në Shqipëri.
Mendja ma thot se kjo qasje e Buxhovit, nuk është e ndikuar nga ajo thënja popullore “për inatë të vjehrrës shkoj e flij me mullixhiun”, por është e sinkronizuar.
Kur përfundimisht u konstatua se Kosova nuk do të mund ta avancojë pozitën e saj, kur u konsiderua se janë shterrur të gjitha mjetet përveç luftës së armatosur për realizimin e lirisë, kryengritja e armatosur ishte domosdoshmëri, sepse kishte ngelur e vetmja rrugë e paprovuar. Kryengritja u organizua nga intelektualë, veprimtarë, atdhetarë e patriotë kryesisht të organizuar në LPK, të cilët asnjëherë nuk kanë kursyer as jetën e tyre për të arritur lirinë për vendin dhe popullin. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në radhët e së cilës u rreshtuan luftëtarë nga të gjitha formacionet politike dhe nga të gjitha trojet shqiptare u mbështet dhe u ndihmua në realizimin e synimeve të saj nga demokracitë e vendeve perendimore dhe nga NATO…
Vetëm pas përfundimit të luftës Çlirimatre në Kosovë janë krijuar rrethanat për pluralizëm politik dhe për luftë për pushtet. Në të gjitha zgjedhjet lokale e të Pëgjithshme të organizuara në Kosovë, deri në vitin 2007, fituese ka dalë LDK, Partia që Buxhovi thot se e ka formuar, e cila ka qeverisuar në koalicion me parti të tjera, madje ka qenë parti në pushtet edhe atëherë kur nuk ka dalë fituese në zgjedhje. Pra pushteti nuk është marrë me dhunë por përmes votës dhe këtë e din shumë mirë Buxhovi ashtu siq e din shumë mirë se kush ka keqpërdorur me lirinë dhe ende po vazhdon t’a keqpërdorë atë, mbase edhe me qëllim të zhbërjes së saj….
Personazhi kryesor i Dosjes Buxhovi, është personazh real, “Vrasësi i Penduar” alias Nazim Bllaca, të cilin Buxhovi e përshkruan si njeri të mirë, nxënës e student i shkëlqyeshëm, që e donte “shtetin paralel” të Kosovës. Në fakt është krejt e kundërta. Personazhi kryesor i Buxhovit del të jetë një spiun i shitur agjent i UDB-së dhe i pregatitur nga shërbiemt sekrete serbe për të shpifur kundër vetes së tij dhe kundër UÇK-së si gjoja ish-pjestar i UÇK-së dhe SHIK-ut. Përmes këtij personazhi, jo vetëm Buxhovi tenton të demonizojë Ushtrinë Çlirimatre të Kosovës e posaqërisht drejtuesit e saj. Me siguri kur autori ka filluar shkrimin pamfletit propagandostik Dosja B, nuk e ka pasur idenë se personazhi i tij kryesor, një vit pas publikimit të Dosjes B, do të shpërfaqet dhe zbulohet lakuriq se ishte agjent i pregatitur nga shërbimet sekrete serbe për të marrë përgjegjësi deri edhe për vrasje, duke u deklaruar se është i gatshëm të shkoj edhe në burg gjoja për të shpaguar fajin që ka bërë, në mënyrë që akuzat e tij për drejtues të luftës çlirimtare të zënë vend në opinion, të duken sa më origjinale dhe të krijojnë përshtypje se akuzat e tij janë reale… Faji i tij është se ai ka shpifur me qëllim të njollosjes së luftës së drejtë çlirimtare dhe bartësve kryesor të saj. Faj që nuk mund të shlyhet asnjëherë, është njollë turpi për të dhe për të gjithë ata që në një formë a një tjetër i kanë qëndruar pas...
Pra, një vit pas botimit të “romanit” Dosja B, vet kryepersonazhi “vrasësi i penduar” alias Nazim Bllaca, e fut në grackë dhe e zbulon edhe hetuesin gjakpërzier i cili gjatë shkrimit gjegjësisht sajimit të tij, thuajse çdo ditë përmes postës elektronike merr “udhëzime për hulumtim” nga babai apo ... nga kush tjetër e din vetë autori…. Kur nuk gjente ndonjë ngjyrë për të kompletuar mozaikun e konstruktuar ai shpikë vet ndonjë “argument” për të kompletuar konstriktimin, sikurse që e ka bërë me dizajnin e kopertinës së librit me gjoja faksimilin e një pusulle të shkruar me dorë në një letër të thjeshtë që të duket si një urdhër primitiv për ekzekutim... Urdhëra për ekzekutim të shqiptarëve ka dhënë Serbia dhe nuk i ka interesuar fare se a vret shqiptarë të orientimit politik të qendrës, të majtë apo të djathtë, por çuditërisht Serbia është amnistuar nga Buxhovi në “romanin” e tij…
Shërbimet sekrete dhe diplomacia serbe nuk e fshehin më faktin se arritën të bindin edhe ish senatorin zviceran Dick Marty që të nënshkruaj raportin e sajuar nga ata, sikur të ishte raporti i tij dhe ta dërgoj për aprovim në Këshillin e Evropës. Raport ky që synon të komprometojë dhe të shpërfytyrojë plotësisht UÇK-në dhe drejtuesit e saj.
Kur UDB gjegjësisht shërbimi i dalë nga ajo BIA, kanë planifikuar dhe kanë menduar se ia arrijnë që edhe në Zvicër të vrasin Dick Martin, me qëllimin djallëzor për të ua mveshur fajin shqiptarëve dhe për t’i akuzuar ata si kriminel e vrasës, por edhe për të varrosur të vërtetën e raportit të nënshkruar nga ai, nuk mund që mos të vete mendja, se BIA ka bërë shumë krime monstruoze edhe në Kosovë për të fajsuar pastaj shqiptarët, siç ka bërë gjatë luftës me rastin vrasjes e gjashtë të rinjëve serb i njohur si rasti Panda apo edhe pas luftës vrasjen e fëmijëve serb në Gorazhdec.
« Romani » Dosja B, i autorit Jusuf Buxhovi më ngjanë të jetë i porositur, pikërisht nga këto shërbime, sepse përçon mesazhe që i konvenojnë vetëm Serbisë dhe herdokurë ajo do të përpiqet ta përdorë këtë “roman” si argument për tu shfajsuar nga faji për ushtrimin e krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve ….
Kritika letrare dhe letërisa jonë nuk duhet të tolerojnë vepra të tilla që më shumë se vepër artistike shëmbëllejnë në pamflete të shpifura propagandistike për interesa të atyre që na kanë vrarë, burgosur e robëruar për thuajse një shekull. Veprat e tilla nuk paraqesin kurrëfarë vlere artistike, letrare apo kulturore. Përkundrazi janë shëmti e zezë për letërsinë dhe kulturën tonë. Duke e lexuar këtë “roman” jam ndier në siklet për torturën që i është bërë gjuhës shqipe, e cila nuk pranon që me shkronjat e saj të sajohet një shëmti të tillë!