Për liberalizimin e vizave, ambasadori gjerman tha shkurt: “them se po, do të zgjidhet kjo çështje në shkurt e mars ”, ndërkohë që sqaroi më në hollësi se ky proces është i vonuar dhe vlerësoi si të pakuptimtë zvarritjen e kësaj çështjeje.
“Të hënën kam qenë me kryeministrin në Prizren, në kuadër të një projekti ku kanë marrë pjesë nxënës nga vendet e ndryshme dhe aty kam cekur se ”liberalizimi i vizave është një anakronizëm dhe ajo që është e rëndësishme është deklarata e ministrave të Gjermanisë, të Francës dhe Polonisë, të cilët kanë deklaruar se duhet që sa më shpejtë të ketë liberalizim të vizave për Kosovën dhe që ai proces është i vonuar. Rishtaz kam thënë që unë do të jem ambasadori i fundit që do të përgjigjet rreth çështjes së liberalizimit të vizave”, ka theksuar mes tjerash ambasadori Rohde.
Asociacioni të demistifikohet, të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës
Ndërsa lidhur me Asocacionin ambasadori gjerman deklaroi se kjo nuk varet nga ne për ta përcaktuar përmbajtjen , është çështje e partnerëve dhe sqaroi se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori, tutje, tha se kjo çështje po fryhet aq shumë krejt pa nevojë, mendoj se këtë çështje duhet të demistifikojmë duke zgjidhur atë në kuadër të Kushtetutës.
Kështu deklaroi ambasadori gjerman Joern Rohde në një intervistë në “Info Plus”, në RTK.
I pyetur nëse ekziston ndonjë dokument tjetër të paraqitur nga këshilltarët francez e gjermanë, të cilët tash së voni iu kanë bashkuar Lajçakut në lehtësimin e dialogut Kosovë –Serbi, ambasadori gjerman theksoi se “ne mbështesim përpjekjet e Lajçakut dhe natyrisht që ka një kornizë ku thuhet se duhet të ketë normalizim të plotë që duhet të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja vendeve. Këtë e ka thënë edhe kancelari Sholz kur ishte në vizitë në Kosovë, se pa njohje reciproke mes të dyja vendeve çdo gjë tjetër do të ishte e pamundur.
“Gjermania me angazhimin e të deleguarit të posaçëm Sarazin ka dëshmuar se sa i rëndësishëm është integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjithashtu edhe vizita e Lajçakut kohëve të fundit në shoqërim të këshilltarit të kancelarit Sholz dëshmon këtë. Me këtë iu themi palëve dialoguese se sa i rëndësishëm është dialogu”, theksoi ambasadori gjerman
Ndërkaq lidhur me targat që sipas marrëveshjes deri më 1 tetor ato duhet të konvertohen në RKS, ambasadori theksoi se duhet të gjendet një kompromis dhe mendoj shpesh se si të bëhet kaq një krizë masive për një gjë e tillë.
“Ndaj bëj apel te të dyja palët që të gjejnë një kompromis. Natyrisht se Kosova ka të drejtë, por duhet të gjejnë një zgjidhje kalimtare që të gjitha palët të përfshihen në këtë proces dhe të gjendet një rrugë mesi, sikurse zgjidhja e dokumentacionit për letërnjoftimet në Bruksel, ashtu edhe çështjet tjera, si p.sh. Asociacioni, etj”, deklaroi ambasadori Rohde.