Robert Rrahmani shpallet "Ylli i Javës"
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Robert Rrahmani shpallet "Ylli i Javës"
Futbollisti i Gjilanit, Robert Rrahmani, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 27-të në elitën e futbollit kosovar.
Ky vlerësim vjen nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komisioni i Veteranëve të Futbollit ët cilët vazhdojnë ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e 27-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Robert Rrahmani, i cili shënoi golin e parë për skuadrën e tij në fitoren e rëndësishme si mysafirë kundër Prishtinës së Re, me rezultat 2:1. Me këtë fitore skuadra e drejtuar nga Debatik Curri bëri një hap të madh drejt objektivit për të siguruar njërën nga pozitat që dërgon në Evropë.
Pasi mori këtë çmim, Rrahmani u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës, si dhe tregoi se bashkëlojtarët e tij kanë zbatuar këshillat që trajneri i tyre i ka dhënë, duke theksuar se synimi i klubit është arritja e objektivave dhe dalja në Evropë.
“Trajneri dhe stafi e kanë përgatitur ndeshjen në maksimum, duke mos e nënvlerësuar Prishtinën e Re për shkak të tabelës. Lojtarët i kanë zbatuar këshillat e trajnerit në maksimum. Fitorja ka qenë shumë e vlefshme, pasi synimi i klubit është arritja e objektivave dhe dalja në Evropë, dhe me këtë fitore jemi brenda objektivave. Këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve, stafit dhe familjes sime, pasi edhe ata kanë merita që unë sot e fitoj çmimin ‘Lojtari i Javës” – ka thënë Rrahmani, për faqen zyrtare të FFK-së.
Gjilani ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 12 prill, ndaj Ballkanit, me fillim nga ora 15:00.
KosovaPress