Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka reaguar të hënën duke demantuar disa shkrime për situatën në minierën e ndërmarrjes publike “Trepça”.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se disa raportime janë gënjeshtra dhe si të tilla po ofendojnë punën e minatorëve në “Trepçë”.
“Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues. Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës”, shkruan Rizvanolli.
Ja postimi i plotë i saj:
Është reaguar menjëherë, qysh në 03:45 me rastin e ndodhjes së aksidentit. Menaxhmenti ka reaguar menjëherë duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera.
Me këto ndërhyrje dhe punën e vazhdueshme të punonjësve aty, niveli i ujit po ulet. Mirëpo, deri sa uji të largohet plotësisht xehet nuk mund të barten për në flotaction.
Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues.
Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës.
Trepça nuk u auditua nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012, derisa Kryeministri Albin Kurti nuk kërkoi auditim të saj në vitin 2021 dhe ky auditim i performancës u realizua. Ndërkohë, Njësia e Auditimit të Brendshëm në ndërmarrje ishte degraduar për vite të tëra për të pamundësuar evidentimin e parandalimin e keqpërdorimeve.
Trepça nuk ka problem me pronësi - publike apo private. Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhepse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa tek disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë.
Gjatë këtyre dy viteve kemi parë këtë përparim tek Trepça. Është rritur prodhimi e të hyrat, e janë ulur shpenzimet operative. Janë miratuar një varg rregullore që vendosin rend e disciplinë. Ne si Qeveri e kemi përkrahur Trepçën me subvencione për t'u përballur me krizën energjetike dhe me investime kapitale. Mirëpo, ende kemi shumë punë përpara, bashkë, e do t'i rrijmë në krah Trepçës në rrugëtimin e saj. Tani është koha ta përkrahim Trepçën edhe me investime në teknologji të re - investime këto që nuk janë bërë që 50 vite e që do ta rrisin efiçencën e prodhimit, performancën operative e finaciare të ndërmarrjes, e do të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.
Pavarësisht që disave u janë prishur llogaritë e interesat, e kjo frymë e re mund të mos u pëlqejë, Trepça dhe ndërmarrjet tjera publike DO TË BËHEN E PO BËHEN, në funksion të qytetarëve e të shtetit të Kosovës, e në të mirë të punonjësve të tyre që punojnë palodhshëm e me nder!