Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovws, ka deklaruar se pagesa për energjinë elektrike në veri është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa siç tha ajo, për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro. Ndërsa, ka shtuar se ka vendos që të mos përgjigjet derisa një e pavërtetë ose keqinterpretim të përsëritet së paku tri herë.
Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet buxheti për vitin 2025, Rizvanolli ka thënë se nuk është e vërtetë që çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon dhe se është sa në Suedi. Duke shtuar se po ashtu nuk është e vërtetë që është premtuar ulja e çmimit të energjisë elektrike.
Ndërsa, sa i përket energjisë elektrike në veri, ajo ka thënë se në vitin 2024, pagesa për energjinë elektrike në veri, është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro.
“Diçka tjetër që ka ndodhur përgjatë viteve të qeverisjes tuaj ka qenë eksplodimi i konsumit në pjesën veriore të vendit. Në vitin 2019 është rritur për 8.1 për qind konsumi në krahasim me viti paraprak, në vitin 2020, 13.7 për qind, në vitin 2021, 13 për qind, kjo nuk ka qenë vetëm për ngrohje, dhe nuk ka qene vetëm për biznes atje. Ka qenë, sepse ka qenë duke lulëzuar krimi i organizuar, droga e kriptovalutat. Kur ka filluar Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Dogana dhe institucionet tjera t’i luftojnë këto dukuri, kanë filluar të shihen rezultatet. Në vitin 2022 është ulur për 2.5 për qind konsumi, në vitin 2023 është ulur konsumi sërish për 13 për qind. Ndërsa në janar-gusht të vitit 2024, pasi është zgjidhur çështja e mos pagesës së energjisë në katër komunat veriore, për herë të parë pas 24 vitesh konsumi është ulur për 35 për qind. Pagesën e energjisë elektrike për komunat veriore nuk e kemi sjellë ne, madje as Elektroserverin nuk e kemi sjellë ne, e keni nënshkruar marrëveshjen në vitin 2013, mirëpo nuk keni qenë në gjendje të realizoni. Sot në vitin 2024 pagesa për energjinë elektrike në veri është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro”, ka shtuar Rizvanolli.