Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se gjatë muajit nëntor ka pasur ulje prej 15 për qind të konsumit të energjisë elektrike, në krahasim me vitin e kaluar. Sipas saj, janë kursyer dhjetëra milionë euro, ndërkohë që për muajt e dimrit është vlerësuar se do të ketë import në vlerë prej 300 milionë euro.
Në një konferencë për media, ajo theksoi se deri më tani janë disbursuar mbi 57 milionë euro në faturat e energjisë. Ajo ka folur edhe për planin e veprimit për pakon emergjente nga Bashkimi Evropian prej 75 milionë euro. Rizvanolli ka thënë se gjatë këtij viti është ulur konsumi i energjisë elektrike.
Përkundër kësaj, Rizvanolli ka kërkuar nga qytetarët kursim të energjisë elektrike. Meqë, siç tha ajo, dje dhe sot për megavat orë në bursat ndërkombëtare ka pasur rritje të çmimeve për mbi 500 euro.
Ministrja e Ekonomisë tha se nga shkurti deri në muajin nëntor janë subvencionuar mbi 57 milionë euro për fatura të energjisë.
Ajo ka folur edhe për masën e tretë të qeverisë për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje.
“Shuma e disbursuar totale nga thirrja e parë është 1 milion e 453 mijë e 909,04 euro. Ndërsa, në fazën e dytë të hapur para rreth një muaji, në fazë e parë kanë aplikuar mbi 14 mijë qytetarë. Prej të cilëve, 7.646 pastaj kanë vazhduar të aplikojnë në fazën e dytë. Prej tyre, 838 janë nëna vetushqyese, 1112 janë përfitues të asistencës sociale, ndërsa nga komunitetet pakicë janë 657. Tanimë prej këtyre aplikacioneve janë trajtuar 2.207 aplikacione, ndërsa disbursimi është bërë për 605 familje në vlerë prej 201.005 euro”, theksoi Rizvanolli.
“Bashkimi Evropian ka ndarë 500 milionë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, janë zotuar për Kosovën që i bie rreth 43 euro për kokë banori që është shuma më e lartë për kokë banori ndër vendet e rajonit. Që nga fillimi i muajit nëntor kur është dhënë ky zotim, kur është konfirmuar kjo pako e mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë së bashku me institucionet tjera në radhë të parë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrën e Kryeministrit dhe fondin e eficiencës së energjisë së Kosovës ka bashkëpunuar me Zyrën e BE-së në Kosovë për hartimin e planit të bashkëveprimit dhe identifikimin e masave që do të ndërmerren menjëherë për zbutjen e efekteve të qytetarët dhe te bizneset”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka përmendur edhe gjashtë masat e miratuar në kuadër të këtij plani, të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Sipas saj, masa e katërt mbështet konsumatorët familjarë përfshirë konsumatorët në nevojë për të investuar në pajisje familjare eficiente, duke përfshirë pajisjet për ngrohje edhe në sisteme të energjisë së ripërtritshme. Po ashtu, edhe ndërmarrjet mikro-të vogla dhe të mesme, të cilat do të mbështeten për pajisje të ngrohjes, mirëpo edhe për instalimin e sistemeve të ripërtritshme.