Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, bashkë me Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë Eric Ditz dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Arsim Emini, kanë përuruar sot repartin e renovuar të Pulmologjisë, Laboratorin e Patologjisë dhe pjesës së rinovuar të Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Ministria e Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, ka njoftuar se ky rinovim është bërë me ndihmën e Qeverisë së Luksenburgut.
Me këtë rast, ministri Latifi tha se dita e sotme është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Gjilanit, pasi që pacientët do të kenë kushte dhe shërbime më të mira për trajtimin e problemeve shëndetësore.
“Ky monument është shumë i rëndësishëm edhe për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët, infermierë dhe stafin mbështetës, e njëkohësisht edhe për shërbime sa më të mira për qytetarët e Gjilanit me rrethinë. E gjitha kjo, është në frymën e angazhimeve tona për transformimin e sistemit shëndetësor në vend”, tha ministri Latifi.
Ky investim, tha ai, dhe shumë investime tjera që ka bërë Qeveria e Luksemburgut, si pjesë e aktiviteteve të projektit "Programi mbështetës për shëndetësinë në Kosovë KSV 017”, tregon më së miri se bashkëpunimi i mirë që ka Kosova dhe institucionet e saj me Qeverinë e Luksemburgut, përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët tanë. Prandaj, sot nga ky vend ju themi faleminderit taksapaguesve të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme, të cilën e vlerësojmë shumë dhe të cilën jam i bindur se do ta arsyetojmë me punë”, tha mes tjerash ministri Latifi.