Nga sot (e mërkurë) ka rinisur prodhimin kompania metalurgjike “NewCo Ferronikeli” në Drenas, i cila tash e dy vjet për shkak të ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike e kishte ndërprerë prodhimin.
Në ceremoninë hapëse investitorët turq “Yildirim Group” u shprehen se “NewCo Ferronikelin” do ta rikthejnë në një kompani stabile, e cila do të kontribuoj në ekonominë e Kosovës.
“Gjithë objektivi jonë është që “NewCo Feronikel” ta bëjmë një kompani aktive, efiçiente që të ketë një kontribut të vyer në ekonominë e Kosovës. Për një periudhë të gjatë u ulëm e ndërtuam një strategji se si mund ta ri-ngritim këtë kompani dhe punuam fortë që sot të jemi këtu dhe ta rihapim. Sapo erdhëm direkt filluam me investime për të ringritur prodhimin për çështjet e energjisë elektrike, efiçiencës dhe renovimit të teknologjisë…Edhe në të ardhmen do të vazhdojnë këto investime dhe “NeëCo Feronikel” do të kthehet në një kompani stabile dhe do të ketë një qëndrueshmëri në prodhimin e saj dhe do të ketë kontribute të vyera për ekonominë e Kosovës”, tha ai.
Shefi i metaleve në kompaninë turke “Yildirim Group”, Mehmet Sefket theksoi se qysh në momentin e marrjes së “NewCo Ferronikelit” nën pronësinë e tyre kanë bërë investime përmes të cilave synojnë ta rrisin prodhimin, por edhe numrin e punëtorëve.
“Në “NewCo Ferronikelit”, qysh në momentin e parë që kemi ardhur kemi bërë investime të rëndësishme të cilat edhe do të vazhdojnë në të ardhmen. Kemi për qëllim të vazhdojmë prodhimin duke vazhduar paralelisht edhe me rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe ndërkohë që vazhdojmë prodhimin jemi shumë të vetëdijshëm edhe për sakrificën dhe mundin dhe punën e punonjësve tanë. Dhe ndërkohë që rritet volumi e puna dhe aktivitetet tona me kënaqësi që nga sot 800 ta bëjmë mbi 1500-2000 punëtorë e pse jo më tepër. Ndërkohë, që vazhdojmë aktivitetin gjithmonë e kemi ndier mbështetjen e qeverisë, mbështetjen e qeverisjes lokale gjithmonë e kemi ndier...Por kemi akoma shumë punë për të bërë dhe paralelisht bëjmë më shumë punë dhe mbështetjen e duam akoma më të madhe”, theksoi ai.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç theksoi se Turqia vazhdon të jetë partneri më i rëndësishëm i Kosovës në aspektin ekonomik, dhe shembulli më i mirë është edhe investimi që “Yilidrim” ka bërë.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka deklaroi se me këtë investim të “Yildirim Group” në “NewCo Ferronikeli”, Kosova është një hap më afër ringjalljes së sektorit të minierave.
Damka u shpreh se Turqia është një nga partnerët kryesor në fushën e ekonomisë dhe investitorët turk kanë luajtur rol thelbësor në zhvillimin ekonomik.