Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të rihapet shqyrtimi gjyqësor ne rastin penal ndaj Milorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, raporton KosovaPress.
Kjo për arsyeje se në Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, nuk është gjetur një deklaratë e një dëshmitares për rastin, Nurije Krasniqit.
Kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala Abdyli tha se gjykata ka vlerësuar që nuk janë provat e saj për sigurimin e kësaj prove.
Ajo tha se është e nevojshme që të gjendet deklarata e saj në stacionin policorë në Pejë, gjithashtu edhe pranë institucioneve ndërkombëtare si UNMIK dhe EULEX.“Nurije Krasniqi ka deklaruar se për rastin ka deklaruar edhe më parë në polici menjëherë pas luftës. Përkundër që nuk i është kujtuar data e dhënies së dëshmisë. Duke vepruar në bazë të mbrojtjes së të akuzuarve, gjykata ishte e drejtuar institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë për të kërkuar deklaratën e dëshmitares Nurije. Në përgjigje të kësaj kërkese, instituti kishte njoftuar se nuk e posedojmë një deklaratë të tillë. Trupi gjykues me rastin e analizimit të lëndës ka vlerësuar se me qëllim të sqarimit të plotë është e nevojshme rihapja e shqyrtimit gjyqësor. Kjo për faktin se dëshmitarja ka deklaruar nën betim se pas luftës kishte dhënë deklaratë për rastin para organeve policore. Në këto rrethana gjykata çmon se nuk janë shteruar te gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Është e nevojshme që të kërkohet ekzistimi i saj pranë stacionit policorë ne Pejë dhe sipas nevojës edhe pranë institucioneve ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë pas luftës si UNMIK dhe EULEX, në mënyrë që vendimi përfundimtar të mbështetet në një administrim sa më të plotë të provave. Nëse gjykata nuk e siguron këtë dëshmi e varësisht nga gjetjet, dëshmitarja Nurije Krasniqi mund të ftohet të dëgjohet përsëri ne gjykatë”, tha ajo.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Gjokoviqi dyshohet se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjera të këtij regjioni, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës, këto forca kishin filluar të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.
Ndërkaq, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., dyshohet se ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk janë gjetur dhe ata vazhdojnë të figurojnë si persona të zhdukur.