Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se në mbledhje të kryesisë ka propozuar që në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për "Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë", të njëjtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
“Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t'i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë. Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon”, tha Hoxhaj.