Reshjet e borës, ministri Balla fton për kujdes të shtuar ngasësit e automjeteve
Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë Taulant Balla u ka bërë thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve në trafik për kujdes të shtuar në kohën kur reshjet e borës dhe shiut po vazhdojnë në disa pjesë të vendit.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Policia e Shtetit, Autoriteti Rrugor dhe njësitë e qeverisjes vendore janë në krye të detyrës, nga Boga, Vermoshi, Qafë Murriza, në rrugën e Arbrit, deri në Qafë Muzinë në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë.
“Qarkulloni me kujdes dhe ulni shpejtësinë, jo vetëm në akset ku ka reshje bore por edhe në akset e tjera rrugore, pasi lagështira në rrugë është burim për përfshirje në ngjarje rrugore”, ka shkruar Balla.
Ai ka udhëzuar ngasësit e automjeteve të ndjekin udhëzimet e policisë dhe të autoriteteve të tjera, ndërsa për çdo nevojë të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, për të marrë ndihmën e shërbimeve të Policisë së Shtetit.