Republikanët e kanë akuzuar presidentin amerikan, Joe Biden, për "hipokrizi", pasi së fundmi janë zbuluar më shumë dokumente të klasifikuar anë shtëpinë e presidentit në Delauer. “Nëse jetoni në një shtëpi prej qelqi, mos hidhni gurë”, tha për ABC, kongresisti republikan nga Nebraska, Don Bacon.
Të paktën 20 dokumente që datonin nga koha kur Biden ishte nënpresident në administratën e Barack Obamës, janë gjetur në shtëpinë e tij dhe në një zyrë që Biden ka përdorur në Uashington.
Trump po hetohet nga një këshilltar i posaçëm për shkak të zbulimit të qindra dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e tij Mar-a-Lago vitin e kaluar. Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka kryer bastisje pasi që ekipi i Trumpit nuk u kishte dorëzuar autoriteteve të gjitha dokumentet që ishin zbuluar se mungonin.
Biden po ashtu po hetohet nga këshilltari i posaçëm, Robert Hur, i cili është emëruar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, për të hetuar mënyrë se si presidenti kishte vepruar me dokumentet e klasifikuara.
Sipas ligjit, të gjitha dokumentet e Shtëpisë së Bardhë duhet të dërgohen në Arkivat Kombëtare pas përfundimit të mandatit.
Të dielën, një numër republikanësh po ashtu akuzuan Bidenin për standarde të dyfishta. James Comer nga Kentaki tha për CNN se “përderisa ai po bënte këtë [po akuzonte Trumpin], ai e dinte mirë se vetë kishte nën posedim dokumente të klasifikuara, prandaj hipokrizia është shumë e madhe në këtë rast”.
Shtëpia e Bardhë nuk ka deklaruar se për sa kohë të gjatë e ka ditur Biden se dokumentet ishin nën posedimin e tij, por ka insistuar se avokatët e presidentit i kanë dorëzuar dokumentet menjëherë pasi i kanë gjetur.
Është e paqartë se me çfarë ndëshkimesh mund të përballet Biden, por ekspertët kanë thënë se nuk pritet të ngrihen akuza penale, pasi prokurorët duhet të vërtetojnë se presidenti dhe ndihmësit e tij me qëllim kanë marrë dokumentet.
Më pas u njoftua se janë gjetur edhe disa dokumente në shtëpinë private të presidentit amerikan në Delauer./REL