Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parasheh që rritja ekonomike për 2023 të arrijë 3.4 për qind, derisa për vitin e ardhshëm të jetë 4.2 qind. Nga BQK-ja thanë se nuk dihet saktë vlera e monedhave false në tregun e Kosovës, pasi sipas tyre, ato qarkullojnë në mënyrë ilegale.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në një konferencë për media, ka folur mbi sfidat me të cilat janë përballur gjatë vitit që po lëmë pas, duke thënë se pavarësisht kësaj, ata kanë arritur ta përmbyllin me sukses këtë vit.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili potencoi se kreditë deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën prej afro 5 miliardë euro, duke shënuar rritje rreth 600 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar.
Ai tha se kreditë për sektorin e ndërmarrjeve, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të kredive në sektorin bankar, evidentohen në shumën prej afro tre miliardë euro, teksa sektori i ekonomive familjare përbën 37 për qind të kredive në sektorin bankar, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi është 6.39 për qind.
Lidhur me atë se çfarë ka bërë BQK-ja në përmirësimin e situatës me qarkullimin e monedhave false, ai tha se kanë bërë furnizim të ekonomisë me monedha të reja, kanë iniciuar themelimin e Qendrës Kombëtare për luftë ndaj parave të falsifikuara dhe veprime të tjera.
Ndërkaq, i pyetur se a dihet sa është vlera e monedha false që po qarkullojnë në tregun e Kosovës, Ismaili tha se është e pamundur të dihet një shifër e tillë, meqë sipas tij qarkullojnë në mënyrë ilegale.
Në kuadër të konferencës, u bë edhe ndarja e çmimit tradicional të BQK-së, “Ekonomisti i ri”, të cilin e fituan Qëndresë Cuci, Diellëza Mahmuti dhe Agnesa Demolli Mehmeti. /Z.Zeneli/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.