Qeveria e Kosovës me kërkesë të 11 komunave - Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë - ka miratuar sot vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri më datën 24 maj 2024.
Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët.
Për më shumë detaje, Agjencia e Statistikave të Kosovës do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 maj 2024.