Rasaj: Na janë besuar prindër të familjarëve, rrahja e së moshuarës na la pa fjalë
Lexohet për: 3 min.
1-4
2 vite më parë
Linku u kopjua

Rrahja e një të moshuare në qendrën për të moshuar "Orenda" në Pejë ka tronditur sot qytetarët.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, fillimisht nga aktorja Kaltrinë Zeneli, mund të shihen disa infermiere, duke keqtrajtuar një të moshuar femër për të cilin rast thuhet se ka ndodhur para dy-tre ditësh.

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të moshuar "Orenda" në Pejë shprehur i shqetësuar dhe kërkon falje për pamjet e rënda të rastit që ka ndodhur në këtë qendër.

Ai thotë për KosovaPress se kanë vendosur të investojnë në vendlindje që të kenë mundësi më shumë qytetarë për vende pune, por që sipas tij ky rast tashmë i ka lënë të befasuar duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kujdesin që duhet treguar ndaj prindërve të familjarëve.

"Sot si aksionari me i madh ne shoqërinë “Orenda” në Pejë, kam rastisur të jem këtu me familje vendosem t'i investojmë në vendlindje. Kemi punësuar personel dhe jemi kujdesur që të krijojmë vende pune për bashkatdhetarët tanë dhe të kujdesemi që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë, por ja që situata në fjalë na ka lënë pa fjalë dhe plot mllef. Na janë besuar prindër të familjarëve, për çka ngjarja sot a ka lënduar shumë sa nuk gjejmë fjalë të shprehim këtë indinjatë", Rasaj.

Më tej, Rasaj ka kërkuar nga organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre duke iu dhënë dënimin e merituar.

"Ju njoftoj se pa asnjë hamendje, menjëherë i kam larguar nga puna personelin në fjalë, kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar nga ato do t'i ndjekim përgjegjësitë në procedura tjera ligjore, po ashtu. I ftoj organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre me efikasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar. I sigurojmë familjet dhe gjithë ju se do të ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm. Ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në mundësinë tonë", shtoi Rasaj.

Mjeku i kësaj qendre, Islam Husaj tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që të ketë rast të tillë në këtë qendër. Sipas Husaj tha se infermierja A.P ka paralajmëruar më herët se do ta braktisë punën.

"Unë jam mjek në “Orenda”. Qe një vit e gjysmë dhe deri më tash nuk kemi pasur raste të tilla, nuk kemi njohuri për raste të tilla dhe shërbimet që janë ofruar këtu kanë qenë të mira. Na ka ndodhur ky rast nga një infermiere e cila ka paralajmëruar se do të dalë nga puna", tha Husaj.

Ai ka thënë se për rastin kanë kuptuar nga video e qarkulluar në rrjete sociale.

Ndryshe, bordi i Qendrës për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë ka marrë vendim për suspendimin nga puna të infermiereve A.P, A.R, R.K, G.N., të cilat morën pjesë në rrahjen e të moshuarës, ndërkohë që deri më tash policia ka arrestuar tre prej tyre.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024