Raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë në rajonin euroatlantik”, duke vlerësuar se Kremlini “ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik”.
Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, prezantoi raportin vjetor të NATO-s, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Rusia ka të ngjarë të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike nëse Moska ndonjëherë sulmon NATO-n, shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Raporti vjetor shqyrton përfundimet kryesore dhe arritjet e NATO-s në vitin 2025 dhe thekson se “lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se energjia ka të ngjarë të jetë objektivi kryesor në çdo sulm të drejtuar ndaj NATO-s”.
Për Ballkanin Perëndimor thuhet se është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n.
Në kapitujt që i referohen rajonit thuhet se prania e NATO-s në Kosovë është kyç për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Kujtohet se që nga viti 1999, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, punon për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet, si dhe lirinë e lëvizjes.
“NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, veçanërisht përmes dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së, i cili është kyç për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon”, thuhet në raportin vjetor të aleancës ushtarake perëndimore.
Prania e shtuar e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes selisë së aleancës në Sarajevë dhe Njësisë për Mbështetje të Angazhimit Politik, ka vazhduar të ofrojë mbështetje në nivel lokal, duke u angazhuar për mbrojtjen dhe sigurinë.
“Mbështetja e NATO-s për operacionin EUFOR Althea, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në kuadër të marrëveshjes ‘Berlin Plus’, ka ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thuhet në dokument.
Vendet anëtare të NATO-s rrisin shpenzimet për mbrojtje
Një pjesë e madhe e dokumentit të prezantuar i kushtohet shpenzimeve për mbrojtje, që është një kërkesë kyç e presidentit amerikan, Donald Trump.
“Vazhdimi i këtij trendi kyç do të jetë prioritet në vitet që vijnë. Për shumë kohë, aleatët evropianë dhe Kanadaja janë mbështetur tepër në fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk kemi marrë mjaftueshëm përgjegjësi për sigurinë tonë. Por, ka një ndryshim të vërtetë në mënyrën e të menduarit, një njohje kolektive e mjedisit tonë të ndryshuar të sigurisë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, duke vlerësuar se po arrihet përparim i madh.